19:53 / E Enjte, 19 Tetor 2023 / Gj. Sh

“Guler ka më shumë potencial se Messi!”

Arda Guler ishte një nga transferimet e Real Madrid këtë verë.

Për turkun pritshmëritë në Spanjë janë shumë të larta, megjithatë dëmtimet nuk e kanë lejuar 18-vjeçarin që të debutojë në LaLiga.

Gjithsesi, periudha e errët është drejt fundit dhe Guler së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti që do të ketë më shumë opsione në sulm.

Sakaq, elozhet për Guler nuk kanë të mbaruar dhe së fundmi ato vijnë nga ish-trajneri i sulmuesit te të rinjtë e Geclerbirligi, Erol Tokgozler. Ky i fundit theksoi se Guler ka më shumë potencial se Messi ndërsa shtoi se 18-vjeçari është shumë i shpejtë në të menduar dhe gjithmonë e ka planin gati se çfarë do të bëjë me topin në zotërim.

“Guler ka një aftësi të veçantë, në kokën e tij ka gjithmonë të paktën pesë plane. Nuk kam parë kurrë një talent të tillë, kur ta shohin në Spanjë atëherë do ta kuptojnë se çfarë cilësish ka Arda.

Messin e njohin të gjithë, por shumë shpejt do të njohin edhe Guler. Nëse flasim për potencial, Guler ka më shumë potencial se Messi. Arda e donte me ngulm transferimin te Real, i pëlqejnë sfidat dhe ai gjithmonë ndjek rrugën më të vështirë”, u shpreh Tokgozler.