Gushti nis me vendime e emërime, Kurti “lëshon” dorën

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të rregullt në të cilën ka marrë disa vendime.
Fillimisht është emëruar Këshillin Statistikor në këtë përbërje:
Avni Kastrati – drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës; Blerta Kika – përfaqësuese e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Valbone Dushi – përfaqësuese e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Enver Mekolli – përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Merita Berisha – përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, Vedat Sagonjeva – përfaqësues i Zyrës për Planifikim Strategjik, ZKM, Edona Sekiraqa – përfaqësuese e Bankës Qendrore, Agron Hamiti – përfaqësues i Administratës Tatimore të Kosovës, Flaka Azemi – përfaqësuese e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Adelina Maksuti – përfaqësuese e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ardiana Gashi – përfaqësuese e universitetit.

Po ashtu në këtë mbledhje Hysen Muzliukaj është emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike me mandat katërvjeçar.
Në mbledhjen e qeverisë, janë aprovuar katër projekte kapitale të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si projekte shumëvjeçare, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2025, si më vijim:
O Rinovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës;
O Projekti i Lokaliteti arkeologjik në Dresnik;
O Rinovimi i Ndërtesës së Arkivit Shtetëror të Kosovës; dhe
O Rinovimi i Stadiumit të Podujevës.
Sa i përkët çështje së menaxhimit të ujërave të zeza në këtë mbledhje janë ndarë 178,730 euro për Komunën e Podujevës dhe 117,758.24 euro për komunën e Shtimes.
Vendimet e tjera të marra:
Rialokuar 3 milionë euro për 28 projekte kapitale të reja bazuar në memorandumet e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunat.
Këto projekte ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në komunat: Kamenicë, Shtime, Prizren, Gjilan, Podujevë, Deçan, Kllokot, Mitrovicë e Jugut, Klinë, Istog, Suharekë, Mitrovicë e Veriut, Graçanicë, Rahovec, Vushtrri dhe Mamushë;
Ndarë 40,000 euro mbështetje për familjet e dy zjarrfikësve, Sefadin Osmanaj dhe Kaqun Lima, të cilët humbën jetën në krye të detyrës në vitin 2024, respektivisht në vitin 2025. Me këtë vendim, qeveria mbështet me 20 mijë euro familjen Osmanaj dhe 20 mijë euro familjen Lima.
Miratuar raportin gjashtëmujor financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Hequr tarifën doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të kenë tarifë 0% kur hyjnë në vendin tonë./Indeksonline/