75 Mall Live Search
16:21 / E Premte, 17 Tetor 2025 / MSH

Guvernatori i BQK-së mirëpritet në Thesarin e SHBA-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në takimet vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit ngrohtësisht në zyrën e asistencës teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, nga drejtoresha në detyrë, Audrey Linthorst, drejtues tjerë të lartë dhe ekipi i saj.

Takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.

Në fjalën e tij, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lart rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së.

Delegacioni i BQK-së e informoi ekipin e Thesarit mbi zhvillimet kryesore në sektorin financiar, avancimin e kornizës ligjore në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, masat e marra për të luftuar monedhat false dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit financiar, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje të bazuar në rrezik.

Gjithashtu, guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.

Nga ana e tyre, udhëheqësit e zyrës së asistencës teknike të thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj për të promovuar një sektor të fortë financiar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira  ndërkombëtare.