75 Mall Live Search
14:25 / E Premte, 14 Tetor 2022 / k.v

Guvernatori Mehmeti vazhdon takimet me përfaqësues të FMN-së dhe BB-së

Gjatë qëndrimit në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Guvernatori Mehmeti po vazhdon takimet me përfaqësues të këtyre dy institucioneve.

Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takime me udhëheqësin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Di Bella, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Fond, Palotai.

Gjatë kësaj periudhe Guvernatori Mehmeti u takua edhe me Drejtorin e Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, të cilin e njoftoi për zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Kosovës, i cili po vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Në takimin me Zëvendës presidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde, përveç diskutimit lidhur me zhvillimet në sistemin financiar në vend, u diskutua edhe për mbështetjen e mëtutjeshme të BQK-së përmes projekteve të ndryshme, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme, Guvernatori do të ketë takime edhe me Departamentin e Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit, do të marrë pjesë në mbledhjen plenare vjetore të Bordit të Guvernatorëve, si dhe në takimin e Konstituencës tonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar.