75 Mall Live Search
07:26 / E Mërkurë, 01 Tetor 2025 / MSH

Hagë: Covey vijon dëshminë në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, do të vijojë sot dëshminë në Hagë, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Gjatë ditës së djeshme, Covey u mor në pyetje nga avokatët e Thaçit, ndërkaq sot do t’i parashtrohen pyetje nga Zyra e Prokurorit.

Dëshmia e tij ka të ngjarë të përfundojë sot, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith.

Çka tha zëvendësi i Kushnerit në ditën e parë të dëshmisë?

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjyqin e madh ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, dëshmitari i katërt i mbrojtjes tha se Thaçi kishte “marrëdhënie të ndërlikuara” me komandantët në terren.

“Kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij [Thaçit], aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, tha Covey.

Gjatë dëshmisë së tij ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.

“Secili individ në zona, apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.

Covey foli për takimet në të cilat kishte marrë pjesë si zëvendës i Bernard Kushnerit. Ai tha se asnjëherë nuk e kishte parë Thaçin të jepte urdhra.

Ndër të tjera, Covey, derisa foli për pjesën e dytë të vitit 1999, tha se Thaçi bënte thirrje për të shmangur dhunën ndaj pakicave.

“Në fakt më impresionon fakti që atë që ka thënë zotëri Thaçi vinte nga koha e mëparshme. Kështu që ne nuk mund të themi që është roli ynë që i ka thënë këto gjëra, është një proces i cili në fakt kishte filluar përpara mbërritjes sonë”, tha dëshmitari derisa avokati e pyeti për deklaratën e Thaçit për të shmangur sulmet ndaj pakicave.