Hajdari: Një ngutje që shpërfaq mendësi

SHKRUAN: Petrit Hajdari
Ende pa u bërë 24 orë nga largimi drejt Hagës i krerëve të UÇK-së, Vjosa Osmani vrapoi ta pranonte postin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes. Këtu nuk ka asnjë kundërshtim, sepse i takon me Kushtetutë pozita. Çështja është më e thellë se kaq. Ngarendi ta merrte postin e, ngaqë e di se e ka të përkohshëm, vrapon të bëjë vizita e të marrë poena te varret e figurave historike, qoftë të luftës qoftë të rezistencës së paarmatosur.
Vjosa Osmani nuk mund të frymëzohet nga personalitetet që i vizitoi, siç tha ajo. Sepse po të frymëzohej nga kontributdhënësit për lirinë e Kosovës, do të sillej ashtu siç e ka pozitën: ajo nuk është Presidente, por ushtruese e detyrës.
Në anën tjetër, i papranueshëm edhe reagimi i Vetëvendosjes. Nuk mund të jetë e keqe vetëm aktakuza ndaj deputetit të tyre, nuk mund të goditet nën brez sot Hashim Thaçi, as Kadri Veseli. Nuk është kohë fletërrufesh.
Ne jemi të ndarë politikisht, por ky është një front i përbashkët. Ata që as kur është në pyetje lufta nuk janë në gjendje të bashkohen, janë pjesa e njerëzve të cilët historia, nëse nuk i gjykon, të paktën i shpërfill.
Historia do ta njohë projektin e UÇK-së, jo kritizierët e saj. Kjo për një shkak të thjesht: historia i nderon veprimtarët, jo fjalamanët.