Hajdutët po e shfrytëzojnë vikendin për vjedhje, dhjetë raste për tri ditë
Grabitjet dhe vjedhja e gjësendeve me vlerë në vendin tonë vazhdojnë të jenë dukuri shqetësuese.
Vetëm brenda tri ditëvë të fundit sipas raportit të Policisë së Kosovës kanë ndodhur dhjetë të tilla, ndërsa rastet janë duke u hetuar, ku në shumicën prej tyre nuk janë kapur autorët, shkruan Indeksonline.
Vikendi ka qenë më i theksuar sa i përket vjedhjeve, tetë prej tyre janë kryer gjatë të shtunës dhe të dielës, tri nga to vetëm në Rajonin e Pejës.
Më datë 21 janë kryer katër vjedhje, një në Lipjan ku tre persona të panjohur pas mesnatës kanë depërtuar në brendinë e një shtëpie duke vjedhur para, e të njëjtit s’kanë arritur të kapen.
Po në këtë ditë dhe pas mesndatës në Pejë një i dyshuar mashkull K/Egjiptian, është arrestuar pasi kishte vjedhur në një shtëpi.
Jo shumë larg Pejës, në Klinë në orën 01:30, raportohet për një vjedhje tjetër të një shtëpie, me ç’rast janë vjedhur një sasi stoli ari dhe argjendi dhe para të gatshme si dhe një pistoletë për të cilën ankuesi posedonte leje.
Ndërsa në rrugën “Liceni Suvi Do” në Mitrovicën e Veriut, në orën 20:00 ankuesja femër K-Shqiptare ka informuar se persona të panjohur me forcë kanë hapur bagazhin e veturës dhe kanë vjedhur stoli ari dhe të argjendit.
Një ditë më parë, të dielën në rrugën “Muharrem Ibrahimi” në Gjilan një femër tjetër shqiptare ka informuar policinë se një person i pa njohur me forcë ka tentuar t’ia marrë çantën e dorës, mirëpo nuk ka mundur.
Derisa policia në Shtime po në këtë ditë është njoftuar nga ankuesi se nga persona të panjohur është thyer me forcë dera e xhamisë dhe prej aty janë vjedhur një çantë me rreth 50€ dhe incizuesi i kamerave të sigurisë.
Në Pejë, në orën 02:00 të shtunën në rrugën “Beteja e Logjës” dy persona janë arrestuar pasi kishin vjedhur dy biçikleta.
Pas katër orësh në Malishevë, policia u njoftua për një vjedhje tjetër, ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së vllaut të tij i cili gjendet përkohësisht jashtë vendit dhe duke demoluar shtëpinë në tërësi kanë vjedhur një televizor dhe gjësende tjera.
Ndërsa dje Policia e Kosovës njoftoi se kanë ndodhur dy vjedhje, njëra nga to e armatosur. E kjo e fundit ndodhi në fshatin Fshat të Gjakovës, ku viktima mashkull K/Shqiptar derisa ka qenë në punë kanë shkuar dy persona të dyshuar dhe nën kërcenim të armëve duke e rrahur viktimën kanë arritur që të marrin rreth 435 (katërqind e tridhjetë e pesë) € dhe më pas janë larguar prej vendit të ngjarjes. Viktimës i është dhënë ndihma mjekësore.
Derisa në rrugën “Kolasinka” në Mitrovicën e Veriut ankuesi mashkull K-Shqiptar ka informuar se gjatë natës, persona të panjohur nga ekskavatori i tij kanë vjedhur derivate nafte. /Indeksonline/