09:42 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Hajnat po bëjnë kërdi në Kosovë, vjedhin armë, stoli para e makinë rrobalarëse

Raste të shumta të veprës penale “Vjedhje e rëndë” po raportohen çdo ditë në Policinë e Kosovës.

Vetëm gjatë 24- orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur shtatë vjedhje të rënda dhe një vjedhje e rëndë në tentativë, shkruan IndeksOnline.

Në bazë të të dhënave të ofruara nga raporti 24-orësh i policisë, hajnat kanë vjedhur gjësende të ndryshme.

Ata për 24-orë vodhën armë, dokumente, para, kartela, çanta krahu, stoli, pajisje elektronike e një kasafortë.

Raporti 24-orësh:

Prishtinë 02.12.2020-04:20. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë në shtëpi kishte  vërejtur nga dritarja se dy persona të panjohur kishin qenë duke qëndruar te rrethoja e shtëpisë së tij ku njëri prej tyre dyshohet të ketë pasur në dorë një armë të gjatë. Me të vërejtur ankuesin ata ishin larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime.

Prishtinë 01/02-12.2020-22:30-05:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendi të shtëpisë së tij dhe  nga  aty kanë  vjedhur dy armë të gjata, kalibri 12 mm, një llap-top HP, një portofol me dokumente dhe një shumë parash. Rasti është duke u hetuar.

Prishtinë 02-12.2020-18:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se dy persona të panjohur ia kishin grabitur çantën e krahut në të cilën kishte para, dy kartela banke dhe letërnjoftimin. Të dyshuarit pas grabitjes ishin larguar nga ai lokacion. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe janë duke e hetuar rastin.

Fsh. Krajkë, Prizren 02.12.2020-19:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e tij ku kishin vjedhur stoli ari të ndryshme dhe para të gatshme. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe janë duke e hetuar rastin.

Rugovë 02.12.2020-13:25. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person-a të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e vilës së tij dhe nga  aty kanë arritur të vidhnin: një pistoletë për të cilën kishte leje, një DVR kamera, një TV dhe  një makinë rrobalarëse. Rasti vazhdon të hetohet.

Rahovec 02.12.2020-01:47. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në brendinë marketit  dhe nga aty kanë  arritur që të vidhnin kasafortën në të cilën kishte pasur para. Rasti është duke u hetuar.

Rr. “Luja Braja”, Mitrovicë 02.12.2020-17:00.  Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se persona të panjohur duke dëmtuar tri dyer kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së tij dhe nga  aty kanë vjedhur një mjet pune makinë elektrike për thyerjen e betonit. Rasti vazhdon të hetohet.

Rr. “Fitorja”, Podujevë 02.12.2020-19:45. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë tij dhe nga aty kanë vjedhur një makinë elektrike – mjet pune  dhe dy pasaporta. Rasti është duke u hetuar.