Hajnat thyejnë veturën në parking, vjedhin gjëra me vlerë
Është shqetësuese numri i madh i vjedhjeve të cilat po kryhen në vend. Shpesh herë në parkingje të ndryshme thyhen xhamat e veturave, ku më pas të dyshuarit marrin gjësende të cilat gjenden brenda.
Një rast të ngjashëm Indeksonline raportoi mbrëmë, por që kishte ndodhur në Gjilan. E një tjetër ka ndodhur të shtunën në magjistralen Podujevë-Prishtinë, saktësisht në parkingun e restorantit ‘Agnesa’.
Në një video të siguruar nga Indeksonline shihet se si personi i dyshuar thyen xhamin dhe merr një çantë.
E pronari i veturës (BMW X3), K.K., ka thënë se me këtë rast i janë vjedhur një llaptop dhe një çantë që arrin vlerën e afro 1 mijë e 900 eurove.
I njëjti ka deklaruar për Indeksonline se i dhuron 500 euro për këdo që arrin t’ia kthejë llaptopin pasi ka gjëra personale dhe shumë të nevojshme të djalit të tij.
Ai është shprehur i zhgënjyer edhe me sigurimin pasi tha se ishin dy persona të cilët kujdeseshin për sigurinë e parkingut jashtë, por që përsëri vjedhja është arritur të kryhet.
Duhet shtuar se vozitësit duhet të kenë kujdes ku parkojnë veturat si dhe të mundohen të mos lënë gjësende me vlerë brenda tyre, në mënyrë që t’u shmangen sado pak thyerjeve dhe vjedhjeve që po bëhen./Indeksonline/