Hajrulla Çeku në Matiqan: Çdo lagje e Prishtinës do të jetë funksionale dhe me shërbime të denja

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka vizituar lagjen Matiqan, një zonë që për vite me radhë ka qenë jashtë vëmendjes së institucioneve komunale.
Banorët e kësaj lagjeje u ankuan për mungesë të ujit të pijshëm në shumë shtëpi, kanalizim të dëmtuar që ndot rrugët, mungesë ndriçimi dhe rrugë të paasfaltuara, probleme elementare që, sipas tyre, janë injoruar sistematikisht nga qeverisjet e deritashme.
“Prishtina ka nevojë për një qeverisje që nuk lë askënd pas dore,” tha Çeku. “Platforma jonë sjell zgjidhje konkrete për çdo lagje: investime të drejtpërdrejta, parqe, kënde për fëmijë, hapësira sportive dhe komunitare, si dhe të gjitha shërbimet bazike aty ku qytetarët jetojnë.”
Ai shtoi se në qendër të qeverisjes së tij do të jetë përfshirja e qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e zgjidhjeve për problemet e përditshme.
“Lagjet tona do të jenë funksionale. Bashkë për Prishtinën tonë!”, përfundoi Çeku, duke siguruar banorët se koha e neglizhencës do të marrë fund.