09:25 / E Martë, 18 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Abazi: Në “Velani” u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuam, dje u bëmë bashkë për Republikën

Zëvendëskryeministri i vendit, Haki Abazi, tha se dje ishte ditë feste dhe se dje ishte ndryshe, pasi i dhanë besën njëri-tjetrit për vendin.

Abazi tha se dje u dëgjua thirrja për të ruajtur çdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK-së, bijave dhe bijve të vendit, heronjve të historisë dhe patriotëve, që nuk u dorëzuan asnjëherë.

Ai gjithashtu tha se në “Velani” (ku edhe gjendet varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Adem Demaçit) u bënë bashkë për qëllimin e madh për të cilin u luftua, dhanë jetën dhe lanë amanet për ta bërë shtetin e ruajtur kombin, transmeton Indeksonline.

Madje zv.kryeministri Abazi tha se dje u bënë bashkë për ardhmërinë, për Republikën, për guximin për të kryer detyrat e përditshme në realizmin e qëllimeve dhe se dje shteti e qytetari ishin bashkë dhe se ashtu do të vazhdohet.

Ndryshe dje ishte hera e parë pas 14 vjetëve që numri një i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti bëri homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova. Veprim ky i shumë komentuar.

Postimi i plotë:

Urime edhe sot!

Dje kaluam nje ditë feste, feste e rëndësishme në udhëtimin tonë si komb, përkrah kombeve tjera. Të tjerët janë para nesh, ata bënë shtetin kur ne sikur luftonim njëri tjetrin e Besën u falëm të huajve. Dje ishte ndryshe, Besën njëri tjetrit, për vendin.

Dje, ishte ditë e bukur në të gjitha anët, në Prekaz dielli bënte dritë e shpirtrat e familjes Jashari i jepnin shkëlqimin vendit tonë. Ndëgjohet thirrja për të ruajtur cdo kontribut, secilin moment të luftës së lavdishme të UÇK, bijave dhe bijëve të vendit, heronjëve të historisë dhe patriotëve që nuk u dorëzuan asnjeherë. Lavdi e përjetshme!

Në Velani u bëmë bashkë për qëllimin e madh për të cilin luftuan, dhanë jetën, u sakrifikuan dhe lanë amanet për ta bërë shtetin për ta ruajtur kombin. Edhe Presidenti Rugova edhe heroi- Mandela ynë, Demaçi, kanë dhënë drejtim dhe vizion për të ardhmën dhe qëndrueshmërinë përballë pengesave. Të gjithë Dëshmorët që pushojnë në tokën për të cilën ranë- janë skalitur përjetësisht në historinë e kombit tonë. Lavdi!

Dje, Kuvendi i Republikës rrezatoi vlerë, sinqeritet, unitet, respekt për të gjithë, pa përjashtim.

Dje si çdo ditë, roja e shtetit tonë, ushtria dhe ushtarët tanë na bënë krenarë, të mbrojtur dhe të sigurt. Uniforma është jona!

Dje, u bëmë bashkë për ardhmërinë tonë, për Republikën, për guximin tonë që na duhet për të kryer detyrat e përditshme në realizimin e qëllimeve tona. Dje shteti dhe qytetari ishin bashkë, ashtu do të vazhdojmë!

Falemnderit gjithashtu policisë së Kosovës për sigurinë publike.

Kërkoj falje për ndonjë lëshim që ka mundur të ndodhë dhe të jeni të sigurt që nuk e kemi bërë me qëllim!