Haki Shatri: ZRRE-ja po i çon bizneset drejt falimentimit, kjo s’ka logjikë

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka kritikuar ashpër vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e lirë të energjisë, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai tha se kjo qasje e ZRRE-së nuk i merr parasysh realitetet ekonomike në Kosovë dhe po e shtyn sektorin privat drejt kolapsit financiar.
“Në zhvillim ekonomik kjo është e dëmshme por ZRRE-ja ka ngulur këmbë për me kaluar në tregun e lirë. Bizneset po ankohen që mund të falimentojnë por në vesh të shurdhër, këto tendenca sikur po duan t’i shkatërrojnë bizneset e me u kthye në komunizëm. S’ka logjikë kjo çështje. Duan ta shkatërrojnë sistemin ekonomik me metoda të kamufluara”, u shpreh Shatri për “Front Online”.