Hakmarrja, SHBA-ja pritet t’i vendosë taksë 100% Francës
SHBA-ja dhe Franca ende nuk kanë gjetur kompromis për çështjen e taksës digjitale që Qeveria franceze parashikon për gjigantët amerikanë të teknologjisë. Uashingtoni ka paralajmëruar tarifa doganore me vlerë 100 për qind për disa mallra të vendit nëse Franca nuk zmbrapset.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të aplikojnë tarifa 100 për qind mbi 2,4 miliardë dollarë mallra franceze.
Në listë përfshihen disa produkte si shampanja, çantat e dorës, djathërat, artikujt kozmetikë dhe prodhimet e porcelanit.
Shtëpia e Bardhë tha se marrëdhëniet tregtare po dëmtohen nga vendimi i Francës për të taksuar deri 3 për qind të xhiros gjigantët amerikanë të teknologjisë si Google, Apple, Fejsbuk dhe Amazon.
Taksa digjitale do të zbatohet nga fillimi i 2019-ës për çdo kompani me xhiro vjetore në Francë deri 25 milionë euro dhe në botë mbi 750 milionë euro.
Sipas industrisë amerikane të teknologjisë, “taksat diskriminuese për shërbimet digjitale i vuajnë më së shumti bizneset e vogla.”
Administrata amerikane po shqyrton një reagim të njëjtë ndaj Austrisë, Italisë dhe Turqisë që po ashtu mendojnë të aplikojnë taksat e tyre digjitale.
Para hyrjes në fuqi të tarifave të reja doganore, agjencia amerikane për tregtinë ndërkombëtare ka planifikuar konsultime publike nga janari i ardhshëm.
Sanksione janë parashikuar edhe ndaj vetë Bashkimit Europian, që së fundmi humbi betejën e subvencioneve për prodhuesin evropian të avionëve, “Airbus”.