Halimi: 40 ditë në grevë, aktorët e Teatrit Kombëtar nuk ngrisin perden për shfaqjen e radhës

Drejtoresha e Kulturës në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se aktorët e Teatrit Kombëtarë nuk do të përformojnë më në shfaqjet e radhës.
Halimi, njoftoi se tash e 40 ditë aktorët e Teatrit Kombëtar janë në grevë, duke kërkuar të drejtat më bazike dhe kushte pune njerëzore dhe paga dinjitoze.
“Aktorët e Teatrit Kombëtar nuk ngrisin perden për shfaqjen e radhës.
Tragjikomedia e pushtetit vazhdon me një skenar të pamëshirshëm: as në fund të mandatit qeverisës, indiferenca nuk ndalet.
Prej 40 ditësh, aktorët e Teatrit Kombëtar janë në grevë, duke kërkuar të drejtat më bazike – kushte pune njerëzore dhe paga dinjitoze”, ka shkruar Halimi.
Ndërsa shtoi, se gjersa artistët janë në grevë pushteti vazhdon të luajë një farsë cinike.
“Por në këtë skenë absurde, ku artistët janë në grevë pushteti vazhdon të luajë një farsë cinike. Tregojnë moskokëçarje për kulturën dhe për ata që mbajnë gjallë shpirtin artistik të vendit.
Shikoni mirë këtë skenë! Sepse është pasqyrimi i vërtetë i një pushteti që rrënon artin dhe shpërfill dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Halimi./Indeksonline/