75 Mall Live Search
17:46 / E Premte, 07 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Haliti ka vërejtje ndaj buxhetit të paraparë për vitin 2019

Vërejtje ndaj buxhetit të paraparë për vitin 2019, pati edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Ai  gjatë vazhdimit të seancës për projektbuxhetin e vitit 2019, ka kërkuar të dijë  se si është rritur ky buxhet,  ku ka kërkuar edhe një raport.

“Unë kam vërejtjet e mia, për shembull, se nuk ka një raport se cila është gjendja reale  në raport shtet- taksapagues dhe shtet -tatimpagues. Pse po e them këtë? Vazhdimisht kemi vërejtjet për komuna të cilat nuk arrijnë që t’i mbledhin taksat dhe tatimet dhe pastaj buxheti i shtetit duhet të ndërhyjë për t’i plotësuar nevojat e shtetit, e qyteteve dhe komunave, respektivisht. Do të doja ta dija se cila është ndërhyrja shtetërore  ose ndërhyrja e Agjencionit të Tatimeve, taksave, çka është ajo ATK-ja në raport me këta që nuk paguajnë taksat për shtetin. Sa kemi të dënuar sa kemi në akuzë dhe pse nuk i pagujnë. Ps nuk merr konkretisht masa, shteti ndaj atyre që abuzojnë, me detyrimet që kanë ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve”, ka thënë Haliti.

Tutje, Haliti ka folur edhe autostradën Prishtinë-Pejë. Sipas tij, nuk ka aspak siguri, sepse autostrada është shumë pranë shtëpive.  

 “Unë nuk e di që ka kësi lloj autostrade diku në botë. Shiheni mundësinë që të paktën pjesa  tjetër e autostradës të kalojë, siç kalojnë autostradat e krejt botës, larg zonave të banuara. Sepse edhe ato autostrada që kalojnë në zonat e banuara  në të shumtën e rasteve, ose janë të detyruar të shmangin, të bëjnë një autostradë tjetër ose  bëjnë tunele, për të mos e penguar komunikacionin dhe për të mos e ndotur ajrin dhe për të mos u penguar me këmbësorë”, tha Haliti.

Në lidhje me këtë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se do të mundohen që t’u ikin vendbanime, në mënyrë që të mos kenë pengesa qytetarët. Lekaj ka thënë se tanimë është në finalizim, traseja Kijevë-Zahaq, me gjatësi 32 kilometra që së shpejti do t’i bashkohet autostradës, projekt për të cilën janë dhënë 38 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Gjendja e tanishme është jo e mirë, dhe pajtohemi të gjithë  dhe ky projekt është stërzgjatur me vite të tëra, por do të fillojë në vitin 2019  dhe do të përfundojë në vitin 2020”, ka përfunduar Lekaj.