Haliti për protestën në Tiranë: Albin Kurti duhet të marrë pjesë si qytetar ose si veteran pasi ka statusin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, u shpreh se nuk e mbështetë komunikimin mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me protestën e ditës së nesërme të OVL e UÇK-së në Tiranë.
Haliti, në Debat Plus në RTV Dukagjini, u shpreh se Albin Kurti do të duhet t’i bashkohet protestës së nesërme si qytetar ose si veteran pasi e gëzon këtë status, njofton Dukagjini.
“I lexova qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje apo Albin Kurtit dhe të Edi Ramës dhe i kam dëgju disa nga debatet, mendoj se është e tepërt që të debatohet në atë formë, por të dy e kanë zgjedhur mënyrën e tillë për t’ju kundërvu njëri-tjetrin. Edi Rama u deklarua se nuk do të marrë fjalën por se do të marrë pjesë. Mendoj që edhe Albin Kurti do të duhej të merrte pjesë si qytetar ose si veteran pasi e ka statusin – apo edhe si kryeministër që t’i mbështesë njerëzit tanë që po gjykohën atje. Gjuha e rëndë që kanë përdorë të dy nuk më ka pëlqyer”, u shpreh Haliti./Indeksonline/