75 Mall Live Search
08:51 / E Premte, 30 Maj 2025 / Z S

Hamasi refuzon propozimin amerikan për armëpushim 60-ditësh në Gaza

Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi i armatosur palestinez do ta refuzojë propozimin e fundit amerikan për armëpushim të ri në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve të mbetura izraelite.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur të enjten se Izraeli ishte pajtuar me planin e emisarit amerikan, Steve Witkoff dhe se ishte në pritje të përgjigjes zyrtare nga Hamasi.

Mediat izraelite kanë cituar zyrtarët e Izraelit të kenë thënë se do të presin që Hamasi të dorëzojë dhjetë pengjet e gjalla dhe trupat e pajetë të 18 pengjeve të tjera në dy faza në këmbim të një armëpushimi prej gjashtëdhjetë ditësh dhe lirimin e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Zyrtari i Hamasit ka thënë se propozimi nuk ka përmbushur kërkesat kryesore të grupit, përfshirë përfundimin e luftës dhe se do të kundërpërgjigjet përkitazi me këtë.

Qeveria izraelite nuk ka komentuar, por kryeministri Benjamin Netanyahu raportohet t’u ketë thënë familjeve të pengjeve të enjten se e ka pranuar planin e Witkoffit.

Izraeli ka vendosur bllokadë totale ndaj Gazas dhe ka rinisur ofensivën ushtarake kundër Hamasit, më 18 mars pas prishjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti.

Ka thënë se kështu do t’i bëjë presion Hamasit që të lirojë 58 pengjet që ende i mban. Besohet se 20 prej tyre besohet se ende janë gjallë.

Më 19 maj, ushtria izraelite ka nisur një ofensivë të zgjeruar për të cilët Netanyahu ka thënë se synon të marrë kontrollin e të gjitha rajoneve të Gazas. Të nesërmen Netanyahu tha se do të lejonte vetëm sasi të vogla ushqimi në Gazë, duke vështirësuar jetën e palestinezëve.

Gjatë dhjetë javëve të kaluara, janë vrarë katër mijë persona në Gaza, ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë.

OKB-ja thotë se edhe 600 mijë persona janë zhvendosur përsëri prej operacioneve tokësore të Izraelit. Më shumë se pesëqindëmijë palestinezë rrezikojnë të vdesin urie shkaku i bllokadës izraelite./Indeksonline/