“Hamdia” reagon pas fyerjeve ndaj djalit të tij 9-vjeçar: Falënderoj Allahun që nuk e kam takuar përballë …
Aktori kosovar Dardan Gashi ka bërë një reagim publik në rrjetin e tij social Facebook, pas një incidenti që pretendon se ka ndodhur me familjen e tij në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Sipas postimit të Gashit, djali i tij 9-vjeçar kishte marrë pjesë në programin shkollor për 28 Nëntorin, ku performoi me sukses duke kënduar këngën “Mora fjalë” dhe duke veshur simbole kombëtare, shkruan Indeksonline.
Pas programit, djali dhe nëna e tij kaluan në shesh, ku sipas Gashit, djali i preku pa qëllim këmbën njërit prej kalimtarëve.
Ky person, sipas aktorit, reagoi me fyerje të rënda dhe ofendime ndaj familjes dhe besimit të tyre, duke përfshirë edhe deklarata islamofobike. Gashi shprehu tronditjen e tij dhe theksoi se nuk do të tolerojë urrejtje ndaj familjes së tij.
Postimi i plotë:
“Skandal në një ditë gëzimi
Sot djali im 9-vjeçar pati programin shkollor për 28 Nëntorin. I veshur me pantallona të zinjë dhe me bluzën me shqiponjën dykrenare në gjoks, ai shkëlqeu në skenë bashkë me shoqet dhe shokët e klasës duke kënduar “Mora fjalë”. Na emocionuan të gjithëve – mua, bashkëshorten dhe fëmijët.
Pas programit, bashkëshortja mori fëmijët dhe shkoi te takohej me motrën e saj në sheshin “Zahir Pajaziti”. Nili, i emocionuar e i gëzuar, duke ecur në shesh preku lehtë këmbën e një djali rreth të 30-ave. Një prekje e pafajshme e një fëmije 9-vjeçar, i shoqëruar me nënën e tij të mbuluar… dhe kjo mjaftoi që ky tip i sëmurë nga islamofobia të shpërthente në ofendime ndaj një nënë me dy fëmijë të vegjël.
E shau, e ofendoi në mënyrën më banale. Dhe kur pa që po injorohej, ai vazhdoi me fyerje që s’kanë vend në asnjë shoqëri: “Juve duhet me ja sh*** edhe Muhamedit edhe Jezusit.”
I befasuar dhe i tronditur, Nili mori telefonin e nënës dhe më thirri për të treguar çfarë kishte ndodhur.
Falenderoj Allahun që nuk e kam takuar unë përballë. Sot lajmet ndoshta do të raportonin për një Dardan që as familja, as shoqëria, as kush nuk e kishte njohur “ashtu”. I mbushur me mllef vendosa të shprehem publikisht.
Ky tip është produkt i narrativave të atyre gerrgjylave të moshuar të “Lëvizjes së Deçanit” dhe pseudo-profesorëve si Blerim Latifi, që ushqejnë kokat bosh me urrejtje ndaj muslimanëve. Por duhet ta kuptojnë një gjë: çdo mllef ka një kufi. E kur shperthen, le ta dinë këta islamofobë që, vallahi, në damarët tanë qarkullon gjaku i Shaban Polluzhës e Azem Galicës.
Një betim po ua bëj: nuk kam krenari më të madhe sesa me e mbrojt nderin dhe familjen time, me çdo çmim”./Indeksonline/

