Hamilton e Mercedes pranë marrëveshjes, ja detajet e kontratës së re

Lewis Hamiltoni dhe “Mercedesi” janë pranë marrëveshjes për të rinovuar kontratën të paktën edhe për një vit. Duket se palët kanë dëshirë të vijojnë bashkëpunimin, duke parë sukseset që kanë arritur vitet e fundit në Formula 1.
Piloti britanik ka ulur disi pretendimet e tij financiare, nga 45 milionë në sezon në 40 milionë dollarë. Gjithsesi, ai ka kërkuar një kontratë 2-vjeçare, por me një klauzolë në favorin e tij, që të largohet nga “Mercedesi” në fund të këtij viti.
Në rast se Hamiltoni do të qëndrojë edhe vitin 2022, ai nuk do të ketë veton për shokun e ri të skuadrës në rast se “Mercedesi” largon Valtteri Bottasin dhe vendos të marrë një pilot tjetër (George Russell), për të rritur konkurrencën.
Britaniku do të heqë dorë nga 10% e bonusit që merr nga “Mercedesi” si pasojë e premive. Së fundi, rinovimi i kontratës po arrihet edhe për shkak se marrëdhënia midis pilotit dhe drejtorit sportiv Toto Wolff është mjaft e mirë.