13:09 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hamza: Jemi munduar që të bëjmë një buxhet sa më gjithëpërfshirës për 2019-tën

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është bërë Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Bedri Hamza, ministër i Financave ka arsyetuar këtë projektligj duke thënë që janë munduar të kenë një buxhet sa më gjithëpërfshirës.

“Buxheti i vitit 2019-të si dhe vlerësimet për vitet vijuese, procesi ka filluar nga maji i këtij viti menjëherë pas aprovimit të kornizës afatmesme. Që nga atëherë ministria e financave ka bërë diskutime me të gjitha organizatat buxhetore për përmasimin e shërbimeve për qytetarët, natyrisht që do të donim të bënim më shumë por mundësitë janë të limituara”, tha Hamza.

Sipas tij ky draft i buxhetit është bërë në konsultim të vazhdueshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ky propozim buxhet rrjedh nga një bazë e fortë e ekonomisë sonë, ky buxhet është bërë edhe në diskutim më FMN. Presim që në vitin 2019-të  të hyrat buxhetore të jenë në vlerë prej 1 miliardë e 959 milion euro, kjo rritje pritet të jetë kryesisht nga të hyrat tatimore” tha Hamza.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj e cila është njëherësh nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa tha në Kuvend se në bazë të  dhënave për vitin 2019, rritja ekonomike parashikohet të jetë 4.7 për qind.

“Në këtë draft-buxhet, duhet vlerësuar parashikimi për rritjen e të hyrave edhe shërbimeve duke u mbështetur në indikatorët e rritjes ekonomike”, tha ajo duke shtuar se komisioni rekomandon që ky buxhet të votohet.