75 Mall Live Search
15:10 / E Hënë, 08 Qershor 2026 / S Z

Hamza: Kemi pritur më shumë, abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë ne

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për media pas publikimit të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, falënderoi qytetarët e Kosovës dhe votuesit e të gjitha partive politike për pjesëmarrjen në një proces zgjedhor që, sipas tij, u zhvillua në mënyrë dinjitoze dhe të civilizuar.

“Rezultatet janë këto që janë. I uroj të gjitha partitë politike për rezultatin e arritur. Ka qenë një proces në të cilin ne, si PDK, kemi pritur më shumë dhe kemi besuar se mund të arrinim më shumë. Nëse i referohemi vendeve në Kuvend, pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh se në mandatin e kaluar. Aktualisht PDK-ja ka 24 deputetë, por presim përfundimin e numërimit dhe të gjithë procesit zgjedhor”, deklaroi Hamza, raporton Indeksonline.

Ai vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë të mira, por shtoi se nuk kanë qenë plotësisht të barabarta.

“Zgjedhjet kanë qenë të mira, por nuk kanë qenë të ndershme, sepse është përdorur paraja publike. Përdorimi i parasë publike ka pasur efektin e vet”, tha ai.

Hamza theksoi nevojën për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe shmangien e vakuumit institucional.

“Duhet të kemi konstituimin e Kuvendit dhe të mos ketë vakuum institucional”, u shpreh ai.

Duke komentuar nivelin e pjesëmarrjes në votime, Hamza tha se abstenimi i votuesve duhet të shihet si një mesazh për të gjitha partitë politike.

“Abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë ne. Duhet ta kuptojmë dhe ta lexojmë drejt. Njerëzit kanë nevojë për stabilitet politik dhe institucional, e jo që vazhdimisht të prodhohen drama dhe kriza”, deklaroi ai.

Hamza njoftoi gjithashtu se PDK-ja do të përballet me dy procese të rëndësishme gjatë këtij viti, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake.

“Si PDK, na presin dy procese të rëndësishme. Partia do të shkojë në zgjedhje të brendshme këtë vit dhe ky proces tashmë ka filluar ”, përfundoi Hamza.