Hamza pas takimit me Osmanin: Zgjedhjet të pashmangshme, çdo datë e caktuar nga presidentja është e pranueshme
Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në vend janë të pashmangshme, pas takimit konsultativ që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani.
Pas takimit në Presidencë, Hamza tha se në këtë takim mori pjesë në respektim të ftesës së presidentes, ndërsa u diskutua edhe për datat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve.
Ai theksoi se, sipas tij, ka pasur shumë alternativa që vendi të mos arrinte në këtë situatë, por shtoi se përgjegjësinë për këtë e mban Lëvizja Vetëvendosje.
Hamza tha se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë konstruktive gjatë gjithë procesit dhe ka bërë përpjekje që vendi të ketë president.
“Ne nuk kemi vendosur vija të kuqe për asnjë parti dhe nuk kemi refuzuar asnjë proces. Kemi qenë të interesuar që vendi të ketë stabilitet”, u shpreh ai.
Sipas tij, PDK do ta respektojë çdo vendim që merret nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërsa shtoi se beson që presidentja i ka analizuar mirë të gjitha opsionet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Hamza theksoi se çdo datë që do të caktohet nga presidentja është e pranueshme për PDK-në.
Ai shtoi se zgjedhjet janë të panevojshme, por sipas tij janë kushtetuese dhe në këtë fazë janë bërë të pashmangshme./IndeksOnline/

