75 Mall Live Search
12:19 / E Premte, 04 Dhjetor 2020 / k.v

Hamza për rimëkëmbjen ekonomike: Jemi opozitë e qeverisë, por jo e interesave të shtetit

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, në seancën ku po bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike ka shprehur keqardhjen për vonesën në adresimit të kësaj çështjeje nga Qeveria në kohë të duhur për qytetarët.

Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës bazuar situatën shëndetësore, ekonomike dhe politike të vendit ka bërë propozimin e katër amendamenteve për plotësimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike dhe i ka harmonizuar ato me koalicionin qeverisës.

“Ligji të cilin sot e kemi nuk është ligj për votuesit e një subjekti politik ose një tjetri. Ky është ligj për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, është ligj për bizneset që afarojnë në Republikën e Kosovës. Ky ligj nuk paragjykon se si do të jetë skema politike në të ardhmen dhe nuk ka garanci që PDK-ja do të përkrahë marrëveshje të tjera nëse nuk janë në interes të vendit. Jemi opozitë e Qeverisë, vazhdojmë të jemi opozitë e Qeverisë, por nuk mund të jemi në infinit opozitë e interesave të shtetit. “, tha Hamza.

Sipas tij, Ligji për rimëkëmbjen ekonomike nuk ka mundur të procedohej më tej me paketën paraprake pa krijimin e një baze legale ku do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset në Kosovë.

“Ky ligj i përkrah të punësuarit në sektorin privat, përfitojnë mbi 50 mijë biznese si rezultat i granteve, përfitojnë dhjetra mijëra të punësuar në sektorin privat, që kanë humbur vendet e punës nga pandemia, përfitojnë qytetarët e Kosovës me mjetet e tërhequra nga Trusti dhe qytetarët me bazë ekonomike më të ulët do të rimbursohen nga shteti, lënda e parë e prodhuar nuk do të ngarkohet me TVSH”, tha ai.