75 Mall Live Search
17:03 / E Premte, 15 Gusht 2025 / Gj Sh

Hansi Flick i pakënaqur me situatën e regjistrimit të lojtarëve

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pranuar se nuk është aspak i kënaqur me mënyrën se si klubi po menaxhon regjistrimin e lojtarëve.

Ndërsa kampionët e La Ligës i afrohen ndeshjes së parë të sezonit, Blaugranat kanë ende gjashtë lojtarë që nuk janë regjistruar.

Edhe sezonin e kaluar, Flick u përball me të njëjtën situatë, pasi Dani Olmo mungoi në dy ndeshjet e para për shkak se Barcelona kishte vështirësi të regjistronte yllin e sapoardhur.

Këtë vit historia po përsëritet, me Joan Garcia që ende nuk është regjistruar, dhe katalanasit pritet të shfrytëzojnë rregullin e dëmtimeve për ta bërë të mundur regjistrimin.

Çështja ishte një nga temat kryesore në konferencën për shtyp, ku Flick sqaroi se nuk ndihej i qetë me këtë situatë.

“Për mua, është një situatë që nuk më bën të ndihem i lumtur. Kam besim te klubi; duhet të presim deri nesër. Edhe sezonin e kaluar ndodhi e njëjta gjë. Ne po përqendrohemi te gjërat që i kemi në dorë. Kaq kam për të thënë,” tha ai, pasi u pyet për herë të dytë mbi regjistrimet e lojtarëve.