“Hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”, opozita shqiptare përgëzon Kurtin për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Opozita shqiptare ka reaguar në lidhje me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy vendeve.
Kreu Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ai i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e kanë mirëpritur lajmin e arritjes së marrëveshjes.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha shkruan se Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Ndërkohë Meta shkruan se Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.
Lajmin e mirë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e bëri të ditur shefi I BE-së, Joseph Borrell, i cili njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë zgjidhur mosmarrëveshjen për lëvizjen e qytetarëve të tyre përtej kufijve.
Kosova dhe Serbia kanë zgjidhur mosmarrëveshjen për lëvizjen e qytetarëve të tyre përtej kufijve, njoftoi sot shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrell thotë se Serbia është pajtuar të heqë dokumentet për hyrje-daljet për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe se Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”.
Shefi i BE-së e cilëson arritjen e marrëveshjes si një zgjidhje historike.
Reagimi i plotë i Berishës:
Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!
Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.
Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE dhe NATO! Sb
Reagimi i plotë i Metës:
I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”.
Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve./abcnews.al/