75 Mall Live Search
15:16 / E Mërkurë, 28 Janar 2026 / KV

Hap i ri në bashkëpunimin Kosovë-SHBA: Policitë e të dyja vendeve lidhin partneritet strategjik

Nga data 19 deri më 22 janar 2026 , Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha , së bashku me delegacionin e tij, zhvilloi një vizitë zyrtare studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) , konkretisht në departamentin e policisë së San Antonios, Teksas, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional dhe institucional me autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit.

Vizita u drejtua dhe u mbështet nga ekipi i DOJ-ICITAP i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa delegacioni u prit nga Departamenti i Policisë së San Antonios (SAPD). Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet Policisë së Kosovës dhe SAPD-së, duke shënuar një hap konkret drejt avancimit të bashkëpunimit dypalësh.

Gjatë qëndrimit në San Antonio, Teksas, delegacioni i Policisë së Kosovës zhvilloi një sërë takimesh profesionale dhe vizitash institucionale, të fokusuara në policimin e udhëhequr nga inteligjenca, praktikat bashkëkohore hetimore, luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e narkotikëve, analizën e inteligjencës se integruar dhe strategjike, operacionet e fshehta dhe menaxhimin modern të strukturave policore. Po ashtu, u diskutuan qasje strategjike të udhëheqjes policore dhe modele bashkëpunimi ndërinstitucional.

Vizita përfshiu edhe një takim në nivel ekzekutiv me udhëheqjen e Departamentit të Policisë së San Antonios, ku u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e partneritetit, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.

Kjo vizitë pune forcoi më tej partneritetin strategjik ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Departamentit të Policisë së San Antonios, Teksas, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata institucionale.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm profesional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë dhe sundimit të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publike.