10:00 / E Martë, 08 Janar 2019 / indeksADMonline

Hapet afati për aplikim për rimbursim nga kuponët fiskal

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar qytetarët se nga data 1 janar 2019 mund të aplikojnë për rimbursim nga kuponët fiskal.

Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal ka filluar nga data 1 janar 2019 dhe vazhdon deri me 31 janar 2019.

Sipas kumtesës për media të ATK-së, bëhet e ditur se aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës

www.atk-ks.org në linkun Shërbime Elektronike – Aplikacioni për Kuponë Fiskal. Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit.

Fituesit potencial  do të rimburësohen me dhjetë përqind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100 €).

Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro ( 250€ ).

Tutje kërkohet nga qytetarët që të kenë kujdes me llogaritë bankare, të sigurohen që llogaria të cilën e kanë deklaruar në aplikacion për rimbursim të jetë funksionale. Administrata Tatimore nuk do të marrë asnjë përgjegjësi nëse llogaria juaj bankare është e mbyllur apo jo funksionale për çfarëdo arsye që bankat mund të deklarojnë.