75 Mall Live Search
12:58 / E Mërkurë, 16 Tetor 2024 / MSH

Hapet aplikimi për subvencionim të energjisë për konsumatorët e cenueshëm, këto janë kushtet

Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se është hapur aplikimi për programin e subvencionimit të energjisë për konsumatorët e cenueshëm.

Murati ka listuar kushtet që duhen plotësuar familjet që aplikojnë në këtë program, shkruan IndeksOnline.

“Të drejtë aplikimi kanë të gjitha familjet rezidente  në Kosovë dhe që plotësojnë kushtet si vijon:

– Kanë të ardhura* mesatare mujore prej më pak se 150 euro për anëtar. Pra një familje 4-anëtarëshe duhet të ketë më pak se 600 euro të ardhura mujore, dhe

– Kanë në pronësi më pak se 100,000 euro vlerë të paluajtshmërive”. tha Murati.

Sipas ministrit, për familjet që kualifikohen, subvencioni do të paguhet direkt në faturë, përgjatë 6 muajve të stinës së dimrit, pra për periudhën tetor 2024 deri në mars 2025

“Lartësia e subvencionit do të varet nga numri i anëtarëve dhe niveli i të ardhurave mesatare të familjes, por nuk mund të tejkalojë 50 euro në muaj.

Aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit.

Në mënyrë që të përfitoni që nga muaji i parë, duhet të aplikoni më së largu deri më 31 tetor. Aplikimet që bëhen pas fundit të muajit, mund të përfitojnë vetëm nga muaji pasues e tutje.

* në llogaritjen e të ardhurave nuk përfshihen të ardhurat nga pensioni për aftësitë e kufizuara (verbër, para/tetraplegjikë), pensioni për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës, pensioni për viktimat civile të luftës, pensioni për invaliditet në punë dhe të ardhurat nga skema e asistencës sociale”, tha Murati.