75 Mall Live Search
11:51 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / F.R

Hapet edicioni i 14-të i Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion

Në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, sot u hap zyrtarisht edicioni i 14-të i Konferencës Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, një prej ngjarjeve më të rëndësishme akademike dhe shkencore në rajon, e cila mbledh mijëra studiues, akademikë dhe studentë nga dhjetëra shtete të botës. 

Kjo konferencë vjetore, e organizuar nga UBT, shërben si një platformë ndërkombëtare për shkëmbim idesh, kërkime shkencore dhe përvoja profesionale, duke ndërlidhur botën akademike me industrinë dhe inovacionin praktik. 

Në fjalën e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e këtij eventi në avancimin e dijes dhe bashkëpunimit global.

“Me shumë kënaqësi dhe nder ju mirëpresim në edicionin e 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, e cila po mbahet këtu në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së. Kjo konferencë vjetore është bërë një gur themeli i misionit akademik dhe shkencor të UBT-së — një platformë ku njohuria, kreativiteti dhe bashkëpunimi ndërthuren për të frymëzuar zbulime të reja dhe për të formësuar të ardhmen e shoqërive tona”. 

Për katërmbëdhjetë vjet me radhë, konferenca ka bashkuar mendjet më të ndritura nga Kosova dhe nga e gjithë bota, duke ofruar një hapësirë unike për ndarjen e ideve, gjetjeve dhe vizioneve për zhvillim e përparim. Edhe këtë vit, pritet të marrin pjesë mbi 3,000 pjesëmarrës, përfshirë shkencëtarë, akademikë dhe studentë që do të prezantojnë punimet e tyre dhe do të angazhohen në diskutime që avancojnë kufijtë e shkencës, teknologjisë, biznesit dhe inovacionit. 

Një falënderim i veçantë iu drejtua mysafirëve ndërkombëtarë, profesorëve dhe studiuesve që po marrin pjesë në këtë ngjarje madhore, duke kontribuar në forcimin e peizazhit akademik dhe shkencor të Kosovës. 

Në këtë edicion do të zhvillohen dhjetëra sesione paralele, prezantime inovative, panele diskutimi dhe punime shkencore nga mbi 24 fusha studimore, duke reflektuar trendet më të fundit globale në biznes, teknologji, edukim, mjekësi, energji, arkitekturë dhe fusha të tjera ndërdisiplinare. 

Përmes kësaj konference, UBT rikonfirmon rolin e tij si lider rajonal në cilësi, inovacion dhe teknologji, me një rrjet prej mbi 500 partneritetesh ndërkombëtare me universitete, institute kërkimore dhe organizata nga mbarë bota — bashkëpunime që kanë mundësuar kërkime të përbashkëta, shkëmbime akademike dhe projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shoqërisë moderne.