Hapet ekspozita e Driant Zenelit “N’ përpjekje për me u çue”
Sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita e artistit Driant Zeneli “N’ përpjekje për me u çue”, e kuruar nga artistet franceze Claudia Buizza dhe Alicia Knock.
Në hapjen e ekspozitës, ambasadori i Italisë në Prishtinë, Piero Sardi tha se Driant Zeneli është një artist shqiptar i cili ka studiuar dhe ka jetuar në Itali, i cili momentalisht lëvizë mes Italisë Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa pohoi se ka disa arsye për të qenë i lumtur në prezantimin e kësaj ngjarje.
“Së pari, artistin Driant Zeneli, nuk kam nevojë ta prezantojë. Ai është i njohur, është artist ndërkombëtar, i cili përmes aktivitetit të tij simbolizon në shumë shtete, pasurinë dhe lloj-llojshmërinë e ndërlidhjeve të në mes nesh…. Arsyeja e dytë, për të cilën jam krenar, është se kjo ekspozitë po organizohet në kuadër të kornizës së javës së 19-të të Gjuhës italiane në botë dhe është ngjarje përmbyllës”, tha Sardi dhe njoftoi se ky është aktiviteti i tij i fundit si ambasador në Kosovë.
Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi tha se ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, për faktin se është pjesë e kalendarit në mes dy ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe i mbështetur nga miqtë e përbashkët italianë. Ai shtoi se në qendrën e këtij aktivitet është një i ri shqiptar, i edukuar në Itali me një pasus shumë të madhe për të ecur përpara në rrugën e tij të artit.
Minxhozi po ashtu tha se është i privilegjuar që merr pjesë në aktivitetin e fundit të ambasadorit italian, Sardi.
“Jam shumë i privilegjuar që marrë pjesë në aktivitetin e fundit të ambasadorit italian, kolegut tim Sardi. Dhe fjalët e tij që tha se është aktiviteti i fundit, me prekin, sepse ka qenë dhe mbetet një ambasador karriere shumë i suksesshëm, që në punën e tij ka pasur në qendër edhe zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes Kosovës dhe Italisë”, tha Minxhozi.
Alicia Knock, kuratore e muzeut Pompidu në Paris, e cila së bashku me Claudia Buizza dhe Driant Zenelin kanë realizuar së bashku projektin, ka folur rreth punës për krijimin e këtij projekti.
Ajo tha se puna e Driantit më tepër bazohet në iluzionin dhe thellohet në kompleksitetin e realitetit, duke ndërlidhur këtë realitet me mitet e humbura.
“Projekti është bërë në formë përpjekje dhe se Driant vepron sipas realitetit duke u bazuar thellë në kompleksitet, me të cilën shpesh po ashtu ai vepron. Shqipëria nuk është një vend i lehtë, por gjithmonë ka përpjekje për të shkuar tutje dhe për t’u çuar. ‘Të çohesh’ është një mënyrë për Driant që të tregojë këtë realitet të vështirë të ndërlidhur ndonjëherë me forcat që janë përtej nesh, kozmosi, dielli, peshku, peshku fluturues, vetëm për të qenë në gjendje për të krijuar këtë lidhje të re me mitet e humbura, pjesë e të cilave mund t’i përkasim edhe ne, duke lidhur njerëzit dhe natyrën dhe forcave kozmike”, tha Knock.
Artisti Driant Zeneli, pati pak fjalë dhe të gjitha ishin falënderime për ata që e ndihmuan për realizimin e këtij aktiviteti artistik, ndërsa një falënderim të veçantë pati për fëmijët që kanë luajtur rolet artistike në realizimin e fillimit të tij.
Driant Zeneli e ka përfaqësues këtë vit Shqipërinë në Beienalën e 58-të të Venedikut. Zeneli gjatë karrierës së tij artistike ka fituar disa çmime.