75 Mall Live Search
10:37 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / Z S

Hapet hoteli më i lartë në botë

Ciel Tower, tashmë zyrtarisht hoteli më i lartë në botë, ka hapur dyert duke u ngritur 377 metra mbi Dubai Marina, shkruan A2 CNN-i.

Godina prej xhami, e ndërtuar nga “The First Group”, nisi fillimisht si një ide për diçka “spektakolare”, siç thotë CEO Rob Burns, por jo medoemos rekord.

Gjatë procesit, planet u rishkruan, u zgjeruan dhe kulla u rrit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Megjithëse është super e lartë, Ciel është ndërtuar mbi një truall relativisht të vogël, rreth 3600 metra katrorë. Për Dubain, kjo konsiderohet një hapësirë modeste.

Kjo sfidë i ra mbi supe arkitektit Yahya Jan, i cili duhej të ndërtonte një kullë spektakolare duke u kufizuar nga një bazë e ngushtë. Brenda, çdo hapësire, nga hyrja deri te dhomat, reflektohet kjo betejë mes madhështisë dhe kompaktësisë.

Hyrja është elegante dhe e rafinuar, por jo e stërmadhe siç mund të pritej. Ndriçimi i butë, vijat e harkuara dhe dizajni i matur tregojnë qartë se arkitektët janë detyruar të punojnë me çdo centimetër hapësirë.

Nga lart e poshtë hotelit, vizitorët ndeshen me një element arkitektonik të pazakontë: një boshllëk gjigant që shpon kullën, të cilin Jan e quan “syri i gjilpërës.” Ky hapësirë e hapur ndihmon në zbutjen e forcës së erës, një sfidë e rëndësishme për ndërtesat super të larta.

“Ne duhet të lejojmë erën të kalojë përmes godinës”, shpjegon Jan. “Nëse do lartësi, duhet ta formosh kullën në mënyrë që të minimizosh ngarkesën e saj nga era”.

Kulla përfshin gjithashtu një sërë atriumesh çdo gjashtë deri në tetë kate, mbushur me bimë e pemë. Këto hapësira shërbejnë si “parqe vertikale,” duke ofruar dritë natyrore, freski, efikasitet energjetik dhe ambiente sociale për vizitorët.

Ciel ka 1004 dhoma përhapur në 82 kate. Dhoma moderne, me ngjyra neutrale dhe linja të pastra, janë më kompakte se suitat e zakonshme luksoze të Dubait, por pamjet panoramike të Marina-s, Palm Jumeirah dhe Gjirit Arabik kompensojnë çdo centimetër të munguar.

Burns pranon sfidën e madhe të përballjes me një treg të tejmbushur me kapacitete hoteliere, por shprehet optimist: “Ne jemi shumë besimplotë për tregun e mikpritjes. Pamjet 360 gradë, dhomat e mrekullueshme dhe shërbimet do ta veçojnë këtë hotel”.

Katet e sipërme të Ciel mbajnë tetë restorante, ku markat e njohura britanike Tattu kanë zënë hapësirat më me pamje spektakolare. Lëvizja drejt lartësisë ka shtyrë gjithçka, përfshi edhe shërbimet ushqimore, të zhvendosen drejt majës së kullës, ku horizonti bëhet pjesë e dizajnit.

Hapet hoteli më i lartë në botë

Perla e hotelit është pishina “infinity” në katin 76, e vendosur brenda boshllëkut qendror të kullës. Ajo krijon iluzionin se uji derdhet drejt qiellit, një efekt vizual mahnitës që është bërë atraksioni simbol i hotelit.

Ciel nuk është hoteli më ekstravagant i Dubait, megjithatë, ai përfaqëson një qasje të re: shfrytëzimin inteligjent i hapësirës dhe dizajn i matur brenda një metropoli që zakonisht e sheh madhështinë si standard.

Me hapjen e tij, Dubai shton një tjetër ikonë në horizontin e vet gjithnjë në ndryshim. Sa gjatë do ta mbajë rekordin? Kjo mbetet për t’u parë, Dubai nuk i sheh rekordet si arritje përfundimtare, por si ftesë për sfida të tjera/Indeksonline/