75 Mall Live Search
14:09 / E Enjte, 02 Dhjetor 2021 / LB

Hapet konkursi ‘Colours of Albanians’, edhe ju mund të promovoni bukuritë shqiptare nëpër botë

Kosova dhe Shqipëria janë bërë bashkë si asnjëherë më parë, në një aktivitet të rëndësishëm kulturor, që synon promovimin e bukurive shqiptare kudo nëpër botë.

‘Colours of Albanians’ ose ‘Ngjyrat e Shqiptarëve”, është një konkurs fotografik, që është hapur me 26 nëntor në Shqipëri dhe do të finalizohet me 17 shkurt në Kosovë.

Ky konkurs synon promovimin e ngjyrave të shqiptarëve, bukurive natyrore, traditave, arkitekturës trashëgimisë, dhe çdo gjë tjetër që gëzojnë shqiptarët.

Konkursi i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës dhe Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, u mundëson pjesëmarrjen të gjithë qytetarëve pa dallim, kujtdo që realizon fotografi që përfaqësojnë bukurit shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, një hapësirë e veçantë në këtë konkurs i është rezervuar edhe diasporës shqiptare.

Edhe ata që jetojnë nëpër botë, por bëjnë fotografi, ose kanë bërë fotografi a video nga vende të ndryshme në Kosovë a Shqipëri, kanë të drejtë aplikimi.

Pjesëmarrja është fare e thjeshtë.

Çdokush, ftohet të fotografojë a xhiroj  një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Kosovë dhe Shqipëri dhe ta postojë këtë foto/ video në instagram  duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians.

Kështu ju automatikisht jeni pjesë e konkursit.

Çmimet që do të ndahen për aplikuesit janë:

Çmimi i parë

Çmimi i dytë

Çmimi i tretë

Video më e mirë

Çmimi për Diasporën

Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit i kalon jurisë të përbërë nga shtatë personalitete të njohura të artit e të fotografisë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora të cilët zgjedhin 50 fotot e videot më të mira të vitit 2022 dhe shpallin 6  fotot dhe videon fituese në një ceremoni përmbyllëse.

Këto foto më pas botohen në një album i cili shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës.