15:10 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Hapet panairi Nacional i Punës dhe Karrierës. Reçica: Klima e të bërit biznes në Kosovë ka ndryshuar

Në Prishtinë sot është hapur panairi Nacional i Punës dhe Karrierës 2019, i cili do të jetë në fokus të secilit punëkërkues dhe punëdhënës. Në këtë panair janë shpallur mbi 2 000 vende të lira të punës dhe mbi 1 000 mundësi për praktikë në punë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se pas organizimit të panaireve të punës në nivel lokal në shtatë qendra rajonale, sot, bashkë me GIZ-in gjerman është hapur në Prishtinë Panairi Nacional i Punës dhe Karrierës 2019, i cili do të jetë në fokus të secilit punëkërkues dhe punëdhënës.

“Në këtë panair janë shpallur mbi 2 000 vende të lira të punës dhe mbi 1 000 mundësi për praktikë në punë. Uroj që deri në fund të ditës, këto vende të lira të punës të deklaruara nga punëdhënësit të plotësohen dhe punëtorët të dalin nga ky panair me një kontratë pune”, ka thënë Reçica.

Ai ka thënë se veprimet konkrete që i ka ndërmarrë Qeveria kanë bërë që dita ditës, klima e të bërit biznes në Kosovë të ndryshojë.

“Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar në adresimin e papunësisë në vend dhe përkushtimi ynë konsiston në orientimin e një zhvillimi të ri ekonomik të vendit. Veprimet konkrete që i kemi ndërmarrë si Qeveri kanë bërë që dita ditës, klima e të bërit biznes në Kosovë të ndryshojë dhe ndryshimi i klimës së të bërit biznes mundëson gjenerimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë ai./Indeksonline/