75 Mall Live Search
13:54 / E Martë, 08 Korrik 2025 / Z S

Hapet pishina e Gërmisë, çmimet e njëjta si vitet e kaluara

Pishina e Gërmisë në Prishtinë u hap sot, më 8 korrik, pas një vonese të shkaktuar nga mungesa e ujit për shkak të thatësirës në burimet natyrore.

Udhëheqësja e departamentit të pishinës, Medina Krasniqi-Mushica, në një intervistë për Ekonomia Onlinen tha se ambienti është i pastër, i sigurt dhe gati për qytetarët, ndërsa çmimet mbesin të njëjta si vitet e kaluara: 4 euro për të rritur dhe 2 euro për fëmijë gjatë ditëve të javës, ndërsa në fundjavë 5 euro për të rritur. Pensionistët dhe fëmijët nën gjashtë vjeç hyjnë pa pagesë.

“Sot i kemi hapur dyert për qytetarët e Prishtinës, është hapur pishina dhe jemi shumë të lumtur që kemi mundur të sigurojmë një ambient shumë të pastër dhe relaksues dhe të sigurt për qytetarët e Prishtinës. Sfidë kemi pasur vetëm në mbushjen e ujit për arsye të thatësirave, diçka tjetër nuk kemi pasur. Kemi qenë të përgatitur për hapjen e sezonit. Nuk ka ndryshim prej viteve të kaluara, mendoj se çmimet janë mjaft të përballueshme për qytetarët e Prishtinës. Çmimet janë katër euro për të rritur dhe dy euro për fëmijë, ndërsa për uikend janë pesë euro për të rritur dhe dy për fëmijë. Për pensionistët e kemi pa pagesë si dhe për fëmijët nën moshën gjashtëvjeçare është pa pagesë. Sot ka qenë mjaft mirë dhe besoj që do të ketë interesim shumë të madh të vizitorëve dhe i ftoj të gjithë qytetarët që të freskohen në pishinën e Gërmisë. Një ambient i mrekullueshëm në mes maleve të Gërmisë, ajër i pastër dhe ujë i mrekullueshëm”, tha Krasniqi-Mushica.

Menaxheri i përgjithshëm i pishinës, Mërgim Mula, tha se përkundër vonesës këtë vit është bërë një punë e madhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe higjienës.

“Për dallim prej viteve të tjera, këtë vit jemi me vonesë, për shkak të kushteve klimatike dhe mungesës së ujit, e cila është një burim që rrjedh prej malit. Për dallim prej viteve të kaluara, sivjet ka pasur ujë shumë më pak dhe për këtë arsye u shty hapja deri sot më 8 korrik. Sa i përket infrastrukturës, higjienës, pikave të shërbimit, është një prej sezoneve që i ka munguar ndonjëherë pishinës së Gërmisë. Sa i përket çmimeve, është kontratë nga komuna që nuk dallon nga vitet paraprake. Pikat shitëse të gastronomisë janë me një çmim sipas standardeve të lokaleve të kryeqytetit. Sa i përket higjienës, është bërë një punë goxha e madhe dhe intensive dhe shpresoj që kushdo që vjen të ndihet i kënaqur dhe i presim nga sot të gjithë qytetarët”, tha Mula.

Ndërsa, qytetari Shefki Zhitia u shpreh i kënaqur me kushtet, ndërsa shpreson që sezoni të vazhdojë me të njëjtën cilësi.

“Shumë mirë, vetëm pak me vonesë është hapur, është dashur më herët se ne mezi kemi pritur të hapet, se këtë pishinë e kemi në Prishtinë, nuk kemi tjera. Më mirë vonë se kurrë që është hapur, kryesorja është bukur, në rregull. Sot dita e parë, por është mirë, higjiena është mirë, është në rregull. Nëse qëndron kështu gjithë, është shumë bukur. Çmimet për ne pensionistët pa pagesë, i falënderoj që na kanë bërë këtë mundësi. Rregullisht vij në Gërmi, u ndala sot në pishinë, desha të lahem pak sot”, shtoi Zhitia./Indeksonline/