10:34 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / LB

Hapja e linjës së prodhimit të Comodita Home, garanci për vende të reja pune në Klinë

Përfaqësuesit e Comodita Home dhe kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, kanë biseduar për mundësinë e hapjes së linjës së prodhimit të Comoditës në Klinë.

“Kam pritur një takim përfaqësuesit e Comodita Home, Kreshnik Sheremeti dhe Granita Bunari menaxhere e prodhimit. Në këtë takim diskutuam lidhur me interesimin e Comodita Home për hapjen e linjës së prodhimit të Comodites në Klinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Elezaj ka thënë se Comodita është e interesuar që të punësojë punëtorë nga Klina për të punuar në Comodita në Gjakovë deri në identifikimin e lokacionit dhe ndërtimin e objektit ku do të punojnë më pas.

“Deri në identifikimin e lokacionit dhe ndërtimin e objektit, Comodita është e interesuar që të punësojë punëtorë nga komuna e Klinës, të cilët do të trajnohen dhe do të punojnë në objektet prodhuese të Comodites në Gjakovë, për të cilët do të organizohet edhe transporti nga Comodita. Pas hapjes së linjës së prodhimit të njëjtit do të vazhdojnë punën në Klinë”.

“Falënderova z. Sheremeti dhe znj. Bunari për interesin e shprehur për investime në komunën e Klinës dhe rekomandova që nëpërmjet zyrës së punësimit në Klinë të rekrutohen qytetarë të interesuar për punësim”.