16:30 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / A. M.

Hapja e negociatave për Shqipërinë, Wadephul: Dyshoj të ndodhë këtë vit

Dy javë para se Bashkimi Europian të marrë një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërine dhe Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun Gjerman, Johann David Wadephul, shpreh dyshime se ‘drita e gjelbër’ do të jepet brenda këtij viti.

Gjatë një takimi me gazetarë të huaj në Berlin, ai tha se nëse Maqedonia e Veriut arrin një zgjidhje me Bullgarinë, atëherë dera për të është e hapur.

Por Shqipëria, sipas tij, duhet të plotësojë ende kushtet e vendosura nga Bundestagu dhe BE.

“Më 26 shtator të vitit 2019, vendosëm si parlament për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Kjo më kushtoi mua shumë energji, por ne vendosëm disa parakushte dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin”.

Çelja e konferencës së parë ndërqeveritare, që do të thotë edhe hapja faktike e negociatave, u lidh me dy kushte: funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Lartë dhe reforma e Kodit Zgjedhor, e cila duhet të ishte gjithëpërfshirëse.

Reforma zgjedhore vërtet që u arrit në një proces përfshirës, më 5 korrik dhe kaloi në Kuvend, më 23 korrik. Por, një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore. Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua edhe nga OSBE-ja.

Sipas zyrtarit të lartë gjerman, konstatimi për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është i dukshëm, me të parën që ka emëruar deri më tani vetëm 4 nga 6 gjyqtarët e duhur për vendimmarrje dhe të dytën që ka emëruar vetëm 3 nga 19 të tillë./ A2 CNN