75 Mall Live Search
12:17 / E Hënë, 17 Gusht 2020 / indeksADMonline

Hapja e shkollave në Shqipëri, PD: Shteti pa asnjë strategji

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha sot në një deklaratë për mediat se Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë plan, asnjë strategji për mënyrën e zhvillimit të mësimit në sistemin parauniversitar dhe atë universitar.

Sipas Boçit, mbi 640 mijë nxënës dhe studentë akoma nuk e dinë, nëse do të shkojnë apo jo në shkollë.

“Shqipëria ka një problem të madh qe prodhon krizë pas krize. Ky problem është qeveria e paaftë, e papërgjegjshme dhe e korruptuar që drejton vendin. Sot asnjë prind nuk e di çfarë do të bëhet me shkollimin e fëmijëve të tyre. Askush nuk e di, nëse do të hapen apo jo shkollat, sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e dështuar nuk kanë asnjë plan. Prej të paktën dy javësh, siç ndodh zakonisht, mbi 640 mijë nxënës dhe studentë presin lajmin për ngjarjen më të rëndësishme të jetës së tyre, nisjen e fillimit të vitit shkollor dhe akademik, por qeveria hesht” tha ai.

Po ashtu, Boçi thekson se “Ministria e Arsimit nuk ka publikuar asnjë plan, asnjë strategji për mënyrën e zhvillimit të mësimit në sistemin parauniversitar dhe atë universitar. Shumë vende evropiane si Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Greqia kanë studiuar dhe kanë marrë të gjitha masat për rikthimin e nxënësve në auditorë në fillim të shtatorit, ndërsa Shqipëria nuk ka asnjë plan të tillë. Problemet me arsimin janë shumë më të mëdha sesa kaq, por bërja publik e planit për rihapjen apo jo të shkollave është emergjent”.