11:53 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Hapja e të dhënave rrit besimin e qytetarëve ndaj institucioneve

Hapja e të dhënave në Kosovë, do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike. Kështu kanë deklaruar sot zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike me rastin e shpalosjes së iniciativës për hapjen e të dhënave në Kosovë, ku u tha se në to do të përfshihen të gjitha të dhënat që nuk janë në kundërshtim me ligjin.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se përkundër sfidave serioze që janë paraqitur në hapjen e të dhënave, Ministria e Administratës Publike ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, përfshirë edhe lansimin e portalit kombëtar për hapjen e të dhënave.

“Si rezultat i kësaj pune ne kemi një draft plan i cili ka nevojë të plotësohet. Sigurisht se në procesin e hapjes së të dhënave kanë përgjegjësi edhe komunat dhe janë bërë disa hapa në këtë aspekt”, tha ai.

Hapjen e të Dhënave në Kosovë “ODRA” kishe ardhur nga Londra edhe ekspertja e hapjes së të dhënave, Liz Carolan, e cila tha se përkushtimi për të dhënat e hapura është relativisht i lehtë për t’u bërë, por kompleks për t’u zbatuar.

“Unë do të doja të përgëzoj nga ky rast Ministrinë e Administratës Publike në marrjen e iniciativës dhe fillimin e punës me ODRA. Duke bërë kështu, Ministria po dëshmon një angazhim serioz për të hapur të dhënat e sektorit publik dhe për ta bërë Qeverinë më transparente. Unë mezi pres që iniciativa të jap ndikim për qytetarët gjatë muajve dhe viteve të ardhshme”, u shpreh ajo.

Ndërsa drejtori i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, Kujtim Gashi, tha se Kosova ka portalin shtetëror dhe në kuadër të tij është hapur edhe portali për hapjen e të dhënave. ODRA është një metodologji e zhvilluar nga Banka Botërore që do të zbatohet edhe në Kosovë me vetiniciativë të Ministrisë së Administratës Publike, përderisa Banka Botërore do të bëjë rishikimin e pavarur të rezultateve të vlerësimit.