16:23 / E Premte, 01 Mars 2024 / MSH

Haradinaj: Arsimi është përcaktues i së ardhmes tonë si shtet, kjo qeveri nuk e ka prioritet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie, ku si pasojë problemet janë shtuar dhe janë alarmante.

Kështu ka thënë Haradinaj në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030 për arsimin në Kosovë. 

“Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me Arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit. Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellur këtë sektor buzë kolapsit”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para.

“Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellur Arsimit. Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend”, ka përfunduar Haradinaj.