16:12 / E Hënë, 08 Prill 2019 / indeksADMonline

Haradinaj bën thirrje për zgjedhje të lira e demokratike në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore, njofton Indeksonline.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj ka ftuar subjektet politike që të garojnë në zgjedhjet që do të mbahen më 19 maj  si dhe iu ka bërë thirrje qytetarëve të këtyre komunave që të dalin të votojnë.

“Pas vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, për shpalljen e zgjedhjeve në Komunat e Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, dhe Mitrovicë e Veriut, ftoj subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet e 19 Majit 2019, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje. Gjithashtu ftoj qytetarët e këtyre Komunave për të dalë në këto zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve të këtyre komunave”.

Kreu i ekzekutivit ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare”, shkroi më tutje Haradinaj.

Ndryshe, në ora 18:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhje për të filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do mbahen në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, dhe Mitrovicë e Veriut. /Indeksonline/