75 Mall Live Search
10:28 / E Martë, 25 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj-Bërnabiqit: Marre se çfarë kërkese i bëre Shqipërisë!

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj e ka quajtur absurde kërkesën e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ana e Shqipërisë.

Sipas tij, këto sjellje të Beogradit zyrtar kanë bërë që Republika e Kosovës të vendos taksë 100%.

“Taksa është e drejtë e jona. Ne mbrojmë sigurinë tonë kombëtare. Kryeministrja e Serbisë vazhdon me letra për qeveritë e ndryshme. Nuk i ka ardhë marre me i dërgu letër edhe Edi Ramës që me tërku tërheqjen e njohjes. Përderisa ka këso qasje atëherë kuptohet shumë mirë se çfarë qëndrimi do të kemi ne”, ka deklaruar Haradinaj, shkruan Indeksonline

Ndryshe, Serbia para disa ditësh i ka kërkuar Shqipërisë të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq i ka dërguar dy letra homologut shqiptar, Edi Rama, ku i kërkon që të përdorë atë që ajo e quan “ndikimin e tij në Prishtinë”, në mënyrë që Kosova të zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, ndër të cilat të heqë dorë nga ushtria dhe taksa 100%.

Letra e parë mban datën 16 nëntor dhe vjen e shkruar me një gjuhë, të cilën rëndom diplomacia serbe e përdor në kulmin e propagandës antishqiptare në seancat e Këshillit të Sigurimit dhe më gjerë.

Kryeministrja serbe ankohet për atë që e quan shtypje dhe krime kundër popullit të saj, që vazhdojnë pa pushim dhe kërcënojnë të përshkallëzohen më tej.

“Po iua kërkoj meqenëse keni njohur të ashtuquajturën ‘Republikë të Kosovës’ si një shtet të pavarur, në mënyrë që ju të përdorni ndikimin tuaj ndaj Prishtinës, që t’iu bindet marrëveshjeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Në rast se, në kundërshti me ndikimin tuaj, ata vazhdojnë të shkelin marrëveshjet dhe paktet ndërkombëtare, ju kërkoj të rishikoni pozicionin tuaj në mbështetje të Pavarësisë”, shkruhet në letrën e parë të Brnabiç, 16 nëntor 2018.