18:00 / E Enjte, 18 Korrik 2019 / indeksADMonline

Haradinaj dhe Tolaj flasin për bartjen e disa pronave te komunat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, me të cilin thotë se kanë bashkëbiseduar për asetet në pronësi shoqërore në tërë territorin e vendit.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se gjatë këtij takimi kanë diskutuar edhe për konceptin e Qeverisë që disa prona t’u barten komunave për të dinamizuar zhvillimin ekonomik lokal dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Kujtojmë se, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e pati dërguar në Gjykatën Kushtetuese kryeministrin Ramush Haradinaj për vendimin e tij për disa prona në veri.

“Me Drejtorin Menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj, bashkëbisedim i hapur për asetet në pronësi shoqërore në tërë territorin e vendit, si dhe për konceptin e Qeverisë që disa prona t’u barten komunave për të dinamizuar zhvillimin ekonomik lokal dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve” ka shkruar Haradinaj.