18:27 / E Diele, 12 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Do t’ua mundësojmë vreshtarëve t’i pushtojnë tregjet e jashtme

Përfaqësuesit e vreshtarëve dhe verëtarëve kërkuan nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj që të krijohen lehtësira për tejkalimin e problemeve me të cilat përballen në eksport, në mënyrë që të mund të jenë konkurrentë në tregun e jashtëm.

Kështu ka bërë të ditur zyra për informim e kryeministrit ku njoftohet për takimin e   kryeministrit  te Kosovës, Ramush Haradinaj me përfaqësues të vreshtarëve dhe verëtarëve të Kosovës të cilët e përgëzuan atë për punën e madhe që po bënë në rikthimin e besimit në institucione.

Delegacioni i përbërë nga Ismet Haxhimurati, kryetar i Shoqatës, Fejzullah Berisha, nënkryetar, nga menaxherët Nevzat Haxhijaha, Hamëz Rama dhe Ylber Bajraktari, Avdi Gecaj, pronar i “Stone Castle”, diskutuan me kryeministrin për sfidat dhe sukseset e kësaj fushëveprimtarie që në Kosovë është kulturë me traditë shekullore.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton është partner me prodhuesin vendor të cilin nuk do ta lërë të vetëm në asnjë rrethanë dhe në këtë kontekst do të përshpejtojë hapat, duke mundësuar që edhe vreshtarët dhe verëtarët kosovarë të pushtojnë tregjet e jashtme.