Haradinaj: “Dritë për Shtimen”, vizioni i Aleancës për zhvillim e qeverisje të mirë

Në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka prezantuar vizionin e partisë për komunën e Shtimes. Ai tha se Aleanca sjell modelin e qeverisjes së dëshmuar kudo që ka udhëhequr, duke theksuar se slogani “Dritë për Shtimen” është më shumë se një mesazh elektoral, është vizion për një komunë të zhvilluar dhe me perspektivë për secilin qytetar.
Haradinaj ka prezantuar kandidatin e Aleancës për kryetar të Shtimes, z. Ramë Bislimi, të cilin e ka cilësuar si njeri me integritet, të respektuar nga qytetarët dhe të njohur për maturi, ndershmëri e lidership. Sipas tij, Bislimi gëzon besimin e komunitetit dhe sjell përvojë e përkushtim për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe qeverisje transparente.
“Përkrah tij, në listën e Aleancës janë figura të respektuara nga fusha e arsimit, shëndetësisë dhe biznesit, të cilët do ta përfaqësojnë denjësisht qytetarin në Asamble,” tha Haradinaj.
Duke folur për potencialin e Shtimes, ai theksoi se kjo komunë ka mundësi të mëdha në bujqësi, blegtori, përpunimin e produkteve vendore, si dhe në zhvillimin e bizneseve të vogla e të mesme. Haradinaj kujtoi se në të kaluarën, qeverisja e Aleancës ka mbështetur projekte konkrete në Shtime, si përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe i ujësjellësit.
“Dritë për Shtimen do të jetë dritë e punës, angazhimit dhe avancimit të resurseve që ofron kjo komunë. Ky është drejtimi që ne duam ta vazhdojmë, kjo është Aleanca jonë,” deklaroi Haradinaj.