07:14 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj e la Samitin për akademi përkujtimore

Agjenda e paracaktuar e kryeministrit Ramush Haradinaj, e cila është marr si preteks për mospjesëmarrjen e tij në “Samitin 100” që do të mbahet sot në Shkup, është zbardhur sot në mëngjes.

Zyra për informim e Qeverisë njofton se: “Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Gjeneral Major Adrian Krasniqi”.

Kjo akademi mbahet në ora 13:15, shkruan AktivPress.

Një ditë më parë, Zyra e kryeministrit ka thënë se mosshkuarja në Shkup e kryeministrit Haradinaj nuk ka të bëjë asgjë me atë se kinse ai nuk dëshiron ta takojë kryeministrin e Malit të Zi, siç raportuan disa portale në Prishtinë.

Kryeministri Haradinaj është thënë se do t’i bëjë ftesë zyrtare për ta vizituar Kosovën kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, dhe se ai do ta vizitojë Shkupin në një të ardhme, pa e përjashtuar mundësinë e një vizite edhe në Podgoricë.

Ndërkohë sot në Samitin që do ta mbahet në Shkup do të marrin pjesë kryeministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të lartë të BE-së dhe mbi 150 udhëheqës të bizneseve nga Evropa Juglindore./AktivPress