15:26 / E Diele, 23 Qershor 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Edhe 100 gjykata speciale le t’i bëjnë, luftën nuk mund ta njollosin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, është i bindur që partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhe, pasi nuk i kanë punët mirë në terren. Ai thotë se i vetmi subjekt politik që është i gatshëm të shkojnë në zgjedhje është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe se janë shumë afër për të qenë subjekti i parë politik.

Haradinaj flet edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Gjykatën Speciale, listat e veteranëve dhe për partitë tjera.

Deputeti Haradinaj thotë se rezultatet e punës së Qeverisë aktuale janë të prekshme, ndërsa thotë se detyrë e opozitës është që të kritikojë.

“Jam i bindur që ata nuk janë të gatshëm me shkuar në zgjedhje sepse nuk e kanë punën mirë në terren. Sukseset e këtij ekzekutivi janë të prekshme, sidomos si subjekt politik ne jemi shumë të lumtur, jemi shumë komod, ne kemi shumë komuna të fituara zgjedhjet e fundit, kemi gjysmën e pushtetit lokal, dhe jemi shumë të gatshëm në çdo situatë, bile mendoj që i vetmi subjekt politik që është i gatshëm për zgjedhje është Aleanca, asnjë tjetër dhe jemi shumë afër me qenë subjekti i parë politik. Ndërsa opozita e ka detyrë demokratike me kritiku, me këshillu, me nxjerr mocione, ditën që i bëjnë 61 me dërgua këtë qeveri në shtëpi”, thotë ai.

Ai thotë se derisa opozita nuk e ka shumicën, koalicioni është stabil.

“Derisa opozita nuk e ka shumicën, koalicioni është stabil, në momentin që opozita qoftë edhe me Listen Serbe apo pa Listën Serbe, në çdo formë që i bën 61 ne jemi këtu, është proces demokratik dhe ne e respektojmë”, tha ai.

Sa i përket dialogut me shtetin serb, deputeti Haradinaj thotë se me Serbinë mund të flasin vetëm për njohje reciproke.

Sipas tij, temat e brendshme të Kosovës janë të Kosovës dhe nuk kanë çka diskutohet me shtetin serb.

“Me Serbinë mund të flasim për njohje reciproke, temat e brendshme të Kosovës janë të Kosovës dhe mendoj që kjo është një e arritur që e kemi arrit në këtë koalicion dhe këtë ekzekutiv, kur do të ndodh finalizimi, shpresoj që sa më shpejt, por edhe nëse ne nuk e arrijmë një marrëveshje me Serbinë, unë mendoj që Kosova humb, nuk e mendoj që është aq emergjencë me u pajtu me Serbinë, se edhe nëse e arrin marrëveshjen prapë se prapë rrugët i kemi ndarë, ne jemi shtet i pavarur dhe kështu funksionojmë, ata janë shtet i pavarur le të vazhdojnë punën e vet. Por mendoj që trendët që me shku vetëm në Bruksel që me nënshkru marrëveshje të cilat letë nuk mund të implementohen por janë të dëmshme, si Zajednica asociacion a çka është ajo,  këtë lloj dialogu ose përfundimi i këtyre lloj dialogjeve mendoj që e ka mbyll kjo histori nuk përsëritet më. Nëse duam të dialogojmë për pavarësinë e Kosovës gabim e kanë, ne jemi shpall shtet kështu jemi kështu funksionojmë dhe ne duhet ta fuqizojmë shtetin tonë”, deklaroi ai.

“Jo pse me më thirre mua, kam qenë ushtar i mirë si krejt UÇK-ja. Kushdo që ka qenë në luftë për mua e ka kryer detyrën e shenjt për liri të vendit dhe duhet me u ndje krenar. Çdo të keqe vjen nga Gjykata Speciale nuk duhet me u trajtua ose me u ndje keq. Mendoj që për mua ata janë heronj të vendit tim dhe kështu duhet të trajtohen, edhe unë nesër nëse thirrna njëjtë. Unë jam kundër asaj gjykate, kam qenë kundër, nuk më kanë dëgjuar kolegët e mi, bile në raste të caktuara edhe më kanë fyer por sot po e shohin që unë kam pasur të drejtë dhe po ndihna shumë mirë që unë kam pasur të drejtë. Kjo gjykatë ka qenë puro politike dhe puro kjo nuk lyp drejtësi, kjo lyp vetëm ndëshkim edhe një farë shpagimi moral për Serbinë, sepse ne e dimë shumë mirë që këtu i ki 12 mijë e 700 shqiptarë të vrarë dhe ata nuk i ka vra reja as nuk kanë vdekur në aksidente, po ata prej regjimit serb të Millosheviqit janë vrarë të gjithë. Në anën tjetër i kemi 3 mijë dëshmorë, kemi shumë invalidë, kemi pasur dëme të panumërta dhe kemi pasur gjykime të panumërta të autoriteteve kryesore të luftës së UÇK-së qoftë në Hagë, EULEX, qoftë në UNMIK, autoritetet kryesore po flas, prej Sylejman Selimi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku. Edhe 100 gjykata le t’i bëjnë se luftën tonë nuk ka me mujt askush me e njollos”, deklaroi ai.

Ndërkaq, sa i përket iniciativës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krime lufte, ai thotë se kurrë nuk është vonë, por që është dashur të bëhet shumë më herët.

Haradinaj ka folur edhe për largimin nga pozitat drejtuese të anëtarëve të PDK-së që është bërë ditëve të fundit nga kryetari i kësaj partie Kadri Veseli. Ai tha se koha e gjatë e PDK-së në pushtet e ka detyruar Veselin që të bëjë reforma brenda subjektit politik.

“Koha e stërzgjatur e të qenit në pushtet edhe e ka pru Kadri Veselin, e ka detyrua me bë reforma brenda subjektit politik. Në anën tjetër, për individ të cilët u larguan unë kam respekt sepse ata janë shtylla e PDK-së të cilët edhe e kanë pru PDK-në dhe Kosovën këtu ku jemi, pavarësisht në çfarë situata jemi duhet të presim epilogun e gjykatës, nuk duhet t’i gjykojmë ne njerëzit në avancë, nuk jemi këtu për me i ekzekutu njerëzit para se me u marrë vendimet, duhet t’i presim vendimet, t’i shohim jam i bindur që zoti Çeku është i pafajshëm edhe në këtë rast”, thotë ai.

Ai thotë se veprimi i Veselit është një mesazh i mirë për të gjithë liderët politik që me i marrë masat brenda subjekteve që i drejtojnë.

I pyetur se a duhet të largohet nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, pasi që ka aktakuzë të ngritur, Haradinaj thotë se asnjë arsye nuk e ka për t’u larguar.

“Asnjë arsye nuk e ka ai për t’u larguar, ai duhet të ndjehet shumë krenar për luftën e bërë, sukseset e Betejës së Kosharës dhe të drejtën që ua ka dhënë pjesëtarëve të Kosharës si status meritor veteran, edhe për sukseset që i ka arrit në Ministrinë e Mbrojtjes që sot e kemi, është kontribut natyrisht edhe i kryeministrit dhe koalicionit dhe të gjithëve, por edhe puna e madhe që e ka bërë zoti Berisha, që ne sot kemi ushtri”, thotë ai.

Haradinaj ka komentuar edhe përplasjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ka pas një diskutim ku i është kërkuar heqja e taksës dhe ky i ka thënë merru me punë tua, sepse është vendim i sovranit në Kosovë, dhe shumë të drejtë ka. Ne kemi respekt për kryeministrin, sidomos unë personalisht kam shumë respekt për zotin Rama, mendoj që ai duhet shumë me u fokusuar me qeverisjen e shtetit shqiptar, kështu më shumë i bën nderë në rast se ai do të ishte një mbështetës i politikave qeverisëse në Kosovë sesa një kritikues”, u shpreh ai.

Ai ka komentuar edhe idenë e presidentit Hashim Thaçi për bashkim me Shqipërinë, për të cilën thotë se është ide e shqiptarëve që shumë kohë më parë.

“Ne kemi qenë bashkë por na kanë nda. Gjithmonë (jam për bashkim) ëndërr e kemi. Shpresoj historia e ardhshme do të jetë e bashkuar Kosovë-Shqipëri, por në këto rrethana qysh janë, Kosova është shtet i fuqishëm, serioz, stabil i bën nderë edhe Shqipërisë, por i bën nderë edhe shqiptarëve të cilët nuk jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri. Sepse territori shqiptar është pak më i madh se Kosova dhe Shqipëria, mos të them shumë i madh. Kemi shqiptar në Maqedoni, Luginë, Mal të zi, dhe hapja e këtyre temave nuk guxon me u ndërlidh vetëm Kosovë dhe Shqipëri, bashkimi kombëtar është pak më i madh, pak më gjerë se shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur edhe për akuzat që i janë bërë subjektit pjesë e të cilit është nga LDK, se disa persona nga kjo parti po prishin kuvendet zgjedhore të LDK-së.

Ai thotë se është e pandershme të akuzohet një subjekt politik për një gjë të tillë, derisa thotë se rrahja me karrige në LDK është kthyer në traditë.

“Këto incidente që po i ndodhin LDK janë të tmerrshme dhe nuk është herë a parë. LDK tash thuajse e ka kthyer në traditë historinë e karrigeve dhe është e papërgjegjshme dhe e pandershme me e akuzua një subjekt tjetër politik. Kuvendet zgjedhore të gjithë e dimë që janë me delegat dhe ata delegat zgjedhën prej dikujt, unë nuk e kuptoj çfarë logjike ka që t’i me i thënë një subjekti tjetër politik se ka ndërhyrë. Nuk qëndrojnë, bile mendoj që është e pandershme total me thënë ashtu, por sido që të jetë Aleanca është e hapur me gjithë ata njerëz që janë të pakënaqur në LDK me i pranua, sikurse po vijnë shumë dhe po na bashkohen. LDK duhet me u marrë me punët e veten dhe jo me e gjuajt topin herë një subjekt herë një subjekt tjetër. Krejt, çdo qytetar i Kosovës është i mirëseardhur në Aleancë. Edhe ata që gjuajnë edhe ata që janë viktima”, deklaroi ai.

Ai ka folur edhe për pastrimin e listave të veteranëve, ku thotë se ka nevojë që ato lista të pastrohen. Sipas tij, moralisht të gjithë ata që nuk kanë qenë në luftë do të ishte mirë që të tërhiqen vet.