Haradinaj i bën thirrje Qeverisë për rishikim urgjent të buxhetit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria duhet urgjentisht të rishikojë buxhetin vjetor të vendit.
Këtë deklaratë Haradinaj e bëri në një konferencë të thirrur për media, ku ndër të tjerash kërkoi që rishikimi i buxhetit të bëhet urgjentisht.
Ndonëse buxheti rishikohet diku kah mesi i vitit, Haradinaj thotë se është e nevojshme që buxheti të rishikohet tani, përpara se të bëhet shumë vonë, me rritjen e çmimeve të produkteve.
Ai ka propozuar edhe të bëhen rishikime të tjera, si ato mbi TVSH-në apo edhe akcizën e naftës, raporton Indeksonline.
“Ekziston mundëisa, dhe është reale, heqja e TVSH-së ose zero TVSH për artikujt bazë ushqimorë për një kohë të parë rreth 3 muajsh, për t’u rivlerësuar më tutje. Po ashtu, vlerësimi i akcizës, veçanërisht për naftën, për shkak se çmimi i rritur i naftës ka ndikim direkt në rritjen e të gjithë çmimeve tjera. Po ashtu, të veprohet dhe ndërhyhet edhe në gjakderdhjet financiare, sikurse është rasti me likuiditetin e KOSTT-it, veçanërisht humbjet në veri, të cilat po vazhdojnë më u rritë” ka deklaruar i pari i AAK-së.
Sipas Haradinajt, rishikimi i buxhetit do të ndikonte edhe në rishikimin e Ligjit të Pagave.
Ai gjithashtu ka shtuar se do të përkrahin edhe tërheqjen e Trust-it, varësisht nga përqindja se sa propozohet për tërheqje.