Haradinaj i reagon ministres Pacollit, pasi ndaloi transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna
Kryetari i AAK-së, ka deklaruar se shkëputja totale e kësaj qeverie në largim nga realiteti i qytetarëve të Kosovës është e thellë.
Sipas tij, vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti.
“Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale. Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore.
Në vend që kjo perlë turistike e Kosovës të mbështetet me investime në rrugë, infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm, po përballet me vendime që rrezikojnë ta izolojnë dhe ta mbysin çdo mundësi zhvillimi. Ky është mentaliteti i një qeverie që në largim po lë pas vetëm pengesa, vendime të dëmshme dhe një pasqyrë të qartë të paaftësisë për të kuptuar nevojat reale të qytetarëve të saj”, ka shkruar ai. /Indeksonline/

