12:13 / E Enjte, 05 Shtator 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Ja ku e shoh Kosovën në vitin 2030

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në debatin e radhës “Talk the Talk” në institutin “Riinvest”, të organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Londrës, ku ka folur për tema të ndryshme.

Haradinaj, nga udhëheqësja e debatit, Ariana Qosja-Mustafa, është pyetur  se ku e sheh Kosovën në vitin 2030, pra 10 vjet më pas.

Haradinaj zhvillimin 10-vjeçar të Kosovës e ka ndarë në dy plane, në atë të jashtëm dhe të brendshëm.

Kryeminsitri në detyrë dhe kryetari i AAK-së, ka theksuar se Kosova duhet të zhvillohet nga brenda dhe të arrijë standardet evropiane, e po ashtu edhe ta konsolidojë subjektivitetin ndërkombëtar, duke u anëtarësuar në organizatat më të rëndësishme ndërkombëatare, siç është NATO-ja, BE-ja dhe OKB-ja.

“Kosova e ka konsolidimin e brendshëm. Duhet me pasë process të vazhdueshëm, pra pa marrë parasysh se në çfarë marrëdhëniesh do të hyjë Kosova, ku do të anëtarësohet dhe me kënd do të lidhë marrëdhënie të caktuara, me rëndësi është konsolidimi i brendshëm, pra institucionet shtetërore, shteti ligjor, ekonomia. Ky duhet të jetë qëllimi ynë, mirëpo në të njëjtën kohë duhet të përmbyllet subjektiviteti ndërkombëtar, që do të thotë me arritë me u anëtarësu në OKB, me qenë anëtar i NATO-s (NATO-n e kemi si cak më të afërt sepse ka të bëj edhe me sigurinë), por edhe anëtarësimi në BE”, ka theksuar Kryeministri në detyrë. Megjithatë, Haradinaj ka thënë se nuk duhet lënë prapa zhvillimin e institucioneve të brendshme.