Haradinaj ka disa fjalë për kosovarët që strehuan të prekurit nga tërmeti në Shqipëri
Ramush Haradinaj ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Kryeministri në detyrë përmes një postimi tha se angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme, shkruan Indeksonline.
Postimi i plotë:
Angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme.
Secilit nga Ju, ju them FALEMINDERIT!
Krahas obligimeve institucionale që janë kryer me kohë, është për çdo lëvdatë gatishmëria dhe ndihma e shoqatave humanitare, vullnetarëve, organizatave dhe familjeve tona.
Ne kemi arritur në kohë rekorde që të aktivizojmë Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman dhe të gjitha mekanizmat e nevojshëm, për strehimin e të ardhurve nga Shqipëria dhe nga nesër, listës së gjatë të vullnetmirëve, do t’u bashkohet edhe Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, që për disa ditë, bashkë me organizatat e Prizrenit dhe Shoqatën Jetimët e Ballkanit, do të ofrojnë shujta ushqimi për të strehuarit.
Ngjashëm po punojmë edhe me Shoqatën “Nënë Tereza”, për të ndihmuar në evidentimin e të strehuarve dhe ndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje, për bashkëkombësit tanë.
Ndihmat e dërguara në Kazermën e FSK-së në Prizren nga qytetarët tanë, shumë shpejt do të dërgohen në depot e rezervave shtetërore në Shqipëri, në mënyrë institucionale dhe në bashkëveprim me autoritetet e Shqipërisë.
Ishim bashkë në të kaluarën, do të jemi bashkë në çdo rrugëtim që e nderon dhe lartëson kombin shqiptar./Indeksonline/